• Italiano
  • English
  • Español
  • 中文 (中国)
  • Română
  • Shqip
  • العربية

Ambulantët dhe fëmijët

Avangardat e emigracionit kanë qenë ata që ushtronin zanate ambulante. Në Toskanë fshatarët shkonin në Korsikë për punët në bujqësi, pastaj në Francë, të tërhequr nga paga më të mira; zanati më i përhapur i kualifikuar ishte shitësi dhe prodhuesi i statujave të allçisë. Niseshin në drejtim të vendeve evropiane, pastaj në Amerikë, muzikantë endacakë nga e gjithë Italia, shitës stampimesh e kinkalerish, druvar e dhegërmues, linin rajonet lindore të gadishullit.

Me përmirësimin e transporteve dhe fillimin e emigrimit të madh, itineraret e endacakëve arritën në të gjitha vendet evropiane dhe më pas në Amerikë. Autoritetet e policisë nuk i shihnin me sy të mirë, të shoqëruar vazhdimisht nga fëmijët, që shpesh ishin të detyruar të lypnin. Ndonjëherë vetë baballarët i merrnin fëmijët e tyre me vete ose ua dorëzonin njerëzve të besueshëm me shpresën se, duke shëtitur botën, do të mësonin ndonjë zanat që di t’i jepte bukë.


Krahë të fortë dhe punë të rënda

Emigrantët, kryesisht fshatarët, u angazhuan edhe jashtë vendit në punë bujqësore, morën pjesë në shpyllëzime ose në bonifikimin e tokave, u punësuan për realizimin e rrugëve të mëdha komunikuese, hekurudhave, veprave të ndërtimit dhe në punët e rënda në miniera. Pothuajse gjysma e emigrantëve u kthyen përfundimisht në Itali. Në Shtetet e Bashkuara, “fushata e emigracionit” zgjaste zakonisht vetëm pak vite. Arsyet ishin se: nuk u integronin aspak në vend dhe kishin njohuri minimale të gjuhës; kursenin në maksimum paratë në kohën më të shkurtër për të përshpejtuar kthimin, duke pranuar angazhime dërrmuese në punë dhe standarde të ulëta të jetesës.

Zona e origjinës përcaktonte zanatet: në Australi, emigrantët nga zonat malore rifilluan aktivitetet e druvarëve ose u bënë prerës kallamsheqeri; ata nga fusha iu përkushtuan bujqësisë ose sektorit të shërbimeve.


 Vepra të madhërishme dhe fate të rëndësishme

Shumë emigrantë italianë morën pjesë në realizimin e veprave të mëdha publike dhe të shumta patën qenë viktimat e aksidenteve në punë. Tunelet në Frejus, Gotthard, Sempione ose hekurudha transiberiane i panë ata duke punuar.

Njëfarë numri emigrantësh arritën suksesin si sipërmarrës, shpesh duke filluar nga e para, ditën të përfitonin nga mundësitë për të arritur pozita të lakmueshme. Burrat kaluan shpejt nga varfëria në pasuri duke u futur kështu në nivelet më të larta shoqërore, në vendin që i kishte adoptuar. Një histori suksesi: në Brazil Giuseppe Giorgi, i cili u bë nga punëtor i thjeshtë, konstruktor hekurudhash; për aftësitë e tij teknike atij iu besuan punë me porosi të rëndësishme publike, duke u afirmuar në një sektor të dominuar nga britanikët.


Gratë “delikate”

Me kohë emigracioni italian është studiuar duke u përkushtuar vëmendje vetëm burrave.

Ato që vuajtën pasojat e emigrimit mashkullor qenë gratë që kishin mbetur në shtëpi: ato kujdeseshin për fëmijët dhe të moshuarit, punonin në fushë dhe, në vend të burrave, kishin marrë përgjegjësinë ekonomike si p.sh. nënshkrimin e kontratave. Gratë jashtë vendit fituan hapësirën e tyre në botën e punës: sektori i parë industrial ishte ai i tekstileve, duke filluar me fabrikat franceze. Nga angazhimi i grave shtëpiake lindi, veçanërisht në Amerikën e Veriut, “bordo”, domethënë, mbajtja në shtëpi-pension me qira e bashkatdhetarëve. Aktivitet ky që u lejonte atyre të kryenin punët shtëpiake dhe të kontribuonin kështu në ekonominë e tyre familjare.


Dyqane e dyqane

Për emigrantët që u angazhuan në tregti, fillimet ishin të ngjashme: ata së pari punuan si vartës te të afërmit ose miqtë, pastaj debutuan drejtpërdrejt në tregti. Në këtë rrugëtim, familja luajti një rol kyç, si për mbështetjen ekonomike ashtu edhe për angazhimin e drejtpërdrejtë në aktivitet.

Dyqanet e para ishin dyqanet e vogla tregtare, kryesisht në sektorin ushqimor, që i drejtoheshin klientëve italianë. Vitrinat e shumë dyqaneve reklamonin produkte italiane. Disa nga këta aktivitete arritën të konsolidoheshin me kalimin e kohës, duke u shndërruar në ndërmarrje prodhimi dhe transformimi të produkteve bujqësore e blegtorale ose në tregtinë me shumicë.


Nga shegertë në padronë

Në sektorin e ushqimit social emigrantët italianë kanë punuar me sukses. Fillimisht, si shitës akulloresh, në verë, e si shitës gështenjash të pjekura në dimër. Pasi u bënë me qëndrim të përhershëm, punuan si kamerierë, pjatalarës, pastaj si kuzhinierë, në restorante dhe hotele. E së fundi: pronarë. Edhe në këtë sektor, familja ishte vendimtare për zhvillimin e çdo projekti. Vlen të kujtohet se “kuzhinierët” e parë burra, që u improvizuan si kuzhinierë, u përpoqën të riprodhojnë recetat e grave të tyre.

Është shembullor emigrimi në Mbretërinë e Bashkuar. Nga Londra, emigrantët u zhvendosën në qytetet provinciale, në zonat industriale të Uellsit jugor; në Skoci dhe në Irlandë, duke hapur dyqane dhe bare.

Kjo është zanafilla e suksesit të tyre: lokalet, që shpeshherë kufizoheshin vetëm në fish and chips, u diferencuan nga pub-et, të cilët frekuentoheshin vetëm nga meshkujt e moshës madhore, sepse shisnin birrë dhe pije alkoolike. Përkundrazi lokalet italiane ishin të hapur për gratë dhe djemtë e rinj pikërisht për shkak se nuk shisnin pije alkoolike. E njëjta gjë edhe për akulloret: nga shitja ambulante kaluan në ice-cream shops, ku gjendeshin: pije freskuese, kafe, ëmbëlsira, marmelata dhe çokollata.